FBK hap procesin e licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27, për herë të parë plotësisht online

FBK hap procesin e licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27, për herë të parë plotësisht online

04/08/2026

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton se ka hapur procesin e licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27, i cili do të zhvillohet nga 5 deri më 14 gusht 2026.

Ky edicion shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e proceseve administrative të FBK-së, pasi për herë të parë i gjithë procesi i licencimit do të realizohet në mënyrë tërësisht digjitale përmes platformës Shooter, duke mundësuar një procedurë më efikase, më transparente dhe më të lehtë për klubet.

Video udhëzuese për platformën "Shooter"

Procesi i licencimit është parakusht për pjesëmarrje në garat e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe zbatohet për klubet e Superligës së Meshkujve, Superligës së Femrave, Ligës së Parë të Meshkujve, Ligës Zhvillimore U21 për Vajza, si dhe për klubet dhe shkollat e basketbollit.

Përmes procesit të licencimit, FBK synon të vazhdojë ngritjen e standardeve të organizimit të basketbollit në vend, duke inkurajuar profesionalizimin e klubeve, përmirësimin e menaxhimit dhe transparencës, forcimin e integritetit të garave, si dhe zhvillimin e gjeneratave të reja.

Klubeve tashmë u janë vënë në dispozicion:

  • Rregullorja për Licencimin e Klubeve në FBK për edicionin 2026/27;
  • Tarifat për licencim dhe kuotizim;
  • Video udhëzuese për përdorimin e platformës Shooter dhe procedurën e aplikimit.

FBK i fton të gjitha klubet që t'i shqyrtojnë me kujdes dokumentet e publikuara dhe të ndjekin videon udhëzuese para fillimit të aplikimit, në mënyrë që procesi të zhvillohet sa më lehtë dhe brenda afateve të përcaktuara.

Licencimi bazohet në përmbushjen e kritereve sportive, financiare, ligjore, administrative dhe infrastrukturore, të përcaktuara në Rregulloren për Licencimin e Klubeve. Ndërkaq, regjistrimi i lojtarëve do të zhvillohet si proces i veçantë, për të cilin klubet do të njoftohen me kohë.

Klubet që nuk arrijnë t'i plotësojnë të gjitha kriteret brenda afatit të përcaktuar mund të licencohen me kusht dhe t'u jepet një afat
shtesë për plotësimin e tyre. Gjatë periudhës së licencimit me kusht, klubi nuk ka të drejtë të aktivizojë lojtarë të huaj në ndeshjet zyrtare, ndërsa në rast se kushtet nuk përmbushen edhe brenda afatit shtesë, humbet të drejtën e pjesëmarrjes në garat përkatëse.

Administrata e FBK-së do të jetë në dispozicion të klubeve gjatë gjithë procesit për të ofruar mbështetje dhe sqarime teknike lidhur me përdorimin e platformës Shooter dhe procedurën e aplikimit.

 

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners