Albert Sylejmani përfundon me sukses fazën e dytë të Programit FECC

Albert Sylejmani përfundon me sukses fazën e dytë të Programit FECC

03/08/2026

Trajneri kosovar Albert Sylejmani ka përfunduar me sukses fazën e dytë të FIBA Europe Coaching Certificate (FECC), një prej programeve më prestigjioze për edukimin dhe zhvillimin profesional të trajnerëve në basketbollin evropian.

Faza e dytë e programit u zhvillua në Trentino të Italisë, nga 26 korriku deri më 2 gusht 2026, në kuadër të FIBA U16 EuroBasket, ku Sylejmani mori pjesë në ligjërata dhe sesione praktike të udhëhequra nga emra të njohur të basketbollit botëror, si Svetislav Pešić, Erdem Can, Marco Ramondino, Israel González dhe Prof. Nenad Trunić.

Programi FECC u ofron trajnerëve nga e gjithë Evropa mundësinë të përfitojnë njohuri nga ekspertët më të mirë të basketbollit, të shkëmbejnë përvoja me kolegë nga vende të ndryshme dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.

Sylejmani kishte përfunduar me sukses fazën e parë të programit vitin e kaluar, ndërsa FECC përbëhet nga tri faza, të cilat zhvillohen gjatë Kampionateve Evropiane të grupmoshave të reja.

Pas përfundimit të fazës së dytë, Sylejmani ka shprehur mirënjohjen e përshtypjet e tij për këtë rrugëtim.

"Ky vit në kuadër të programit FECC ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e vlefshme për mua. Jam mirënjohës për njohuritë dhe përvojën e ndarë nga ligjëruesit, për mbështetjen e kolegëve trajnerë, si dhe për besimin dhe mundësinë që më ka dhënë Federata e Basketbollit të Kosovës për të qenë pjesë e këtij programi. Ishte një vit i mbushur me mësime të rëndësishme, njohje të reja dhe përvoja që do t'i mbaj mend gjatë" tha Sylejmani.

Deri më tani, nga ky program kanë diplomuar edhe trajnerët Valentin Spaqi, Gyltekin Selimi, Dritëro Sefaja, Edon Godeni, Petrit Zeqiri dhe Ilir Selmani, të gjithë të nominuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës e përgëzon Albert Sylejmanin për përfundimin me sukses të fazës së dytë të programit dhe i uron suksese në fazën e tretë dhe përfundimtare të FECC.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners