26/07/2026
E nderuar Familja Belegu,
I dashur komunitet i basketbollit,
Me pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Mithat Belegu.
Ai ka dhënë kontribut të madh si lojtar e gjyqtar, derisa do të mbahet mend nga të gjitha gjeneratat për ndihmën e madhe në basketbollin e Kosovës.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për basketbollin e Kosovës.
Mithat Belegu ka qenë lojtari më i mirë i Kosovës në vitet e 60-ta. Më vonë, njeriu i cili tri herë ishte koshashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Jugosllavisë u bë gjyqtar federativ kurse më 1978 u bë gjyqtar ndërkombëtar i FIBA-s, i pari nga Kosova.
Me 242 ndeshje në ligat federative të Jugosllavisë, prej të cilave 150 në Ligën e Parë të Meshkujve dhe karrierë ndërkombëtare që e ka dërguar në 4 kontinente të globit dhe në mbi 40 shtete, Mithat Belegu nga Peja ishte ambasadori më i mirë i basketbollit të Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë.
Mithat Belegu ishte një prej emrave më të respektuar të basketbollit pejan, pjesë e gjeneratës së artë të KB Buduqnost (sot KB Peja), duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e sportit kosovar.
Kujtojmë se ai ishte shpallur edhe Veteran i Vitit nga Federata e Basketbollit të Kosovës më 2024, duke u nderuar për kontributin e madh në basketbollin e Kosovës.
Në emrin tim personal dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Belegu dhe gjithë komunitetin e basketbollit.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (e hënë) në ora 14:00 në Pejë.
Me Respekt,
Arben Fetahu,
Kryetar i FBK-së