21/07/2026
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në bazë të nenit 24 të Statutit të FBK-së, nenit 2 të Rregullores së Punës së Bordit, si dhe nenit 6.2 dhe nenit 47 të Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore, duke marrë parasysh se KB Drita nuk i ka përmbushur kriteret e licencimit për pjesëmarrje në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27, përkatësisht kriterin infrastrukturor dhe kriterin sportiv, me ç’rast është krijuar një vend vakant në ProCredit Superligë;
Duke marrë parasysh se, në përputhje me nenin 47.4 të Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore, plotësimi i vendeve vakante në nivelet e garimit mund të bëhet përmes mekanizmit të Wild Card-it, në rastet kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga Bordi i FBK-së;
Duke vlerësuar se ProCredit Superliga është niveli më i lartë i garimit në basketbollin e Republikës së Kosovës dhe zhvillimi i saj me tetë (8) klube pjesëmarrëse është në interes të zhvillimit të basketbollit, ruajtjes së integritetit të sistemit të garave dhe mbarëvajtjes së rregullt të kampionatit;
Duke marrë parasysh kompetencën e Bordit të FBK-së për plotësimin e vendeve vakante në liga dhe përcaktimin e kushteve për dhënien e Wild Card-it, në përputhje me Statutin, Propozicionet e Garave dhe aktet tjera normative të FBK-së, shpall:
KONKURS
Për plotësimin e një (1) vendi vakant në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27 përmes mekanizmit Wild Card.
Klubet e interesuara për përfitimin e Wild Card-it për pjesëmarrje në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27 duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara për Licencën A, në përputhje me Rregulloren për Licencim të Klubeve në FBK.
Në kuadër të procesit të vlerësimit, FBK do të shqyrtojë përmbushjen e kritereve si vijon:
1. Kapacitetet infrastrukturore të klubit, përfshirë sigurimin e vazhdueshëm të palestrës sportive që plotëson standardet e FBK-së dhe rregullat teknike të FIBA-s , si dhe përmbushjen e kërkesave për sigurinë dhe organizimin e ndeshjeve;
2. Kapacitetet organizative dhe administrative të klubit për zhvillimin e garave në nivelin e ProCredit Superligës, përfshirë strukturën drejtuese dhe organizative të klubit, si dhe përmbushjen e kërkesave administrative të përcaktuara nga FBK;
3. Përmbushjen e obligimeve financiare dhe administrative ndaj FBK-së dhe palëve tjera relevante, përfshirë gjendjen financiare të klubit, dokumentacionin financiar dhe kapacitetin për përmbushjen e obligimeve gjatë edicionit garues;
4. Kapacitetet sportive të klubit, përfshirë strukturën e ekipit, regjistrimin e lojtarëve, stafin profesional, pjesëmarrjen me ekipet e gjeneratave të reja dhe kushtet për zhvillimin e aktivitetit garues;
5. Përmbushjen e kritereve ligjore, etike dhe disiplinore, përfshirë regjistrimin ligjor të klubit, dokumentacionin organizativ, respektimin e akteve normative të FBK-së dhe përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve relevante;
6. Përvojën e klubit në garat e organizuara nga FBK dhe kontributin në zhvillimin e basketbollit në Republikën e Kosovës;
7. Përmbushjen e obligimit financiar të klubit lidhur me kuotizim dhe shtesat financiare, për të mbështetur funksionimin, administrimin, zhvillimin e aktiviteteve sportive, organizimin e garave dhe realizimin e objektivave statutore të Federatës.
Në rast se më shumë se një klub përmbush kriteret e përcaktuara për përfitimin e Wild Card-it, Bordi i FBK-së do të bëjë vlerësim objektiv, transparent dhe të bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë konkurs, duke marrë parasysh kapacitetet sportive, financiare, organizative dhe infrastrukturore të secilit klub aplikues, si dhe kontributin e mundshëm të klubit në zhvillimin e basketbollit në Republikën e Kosovës, përfaqësimin sa më të gjerë të basketbollit dhe interesin e përgjithshëm të sistemit të garave.
Klubet e interesuara duhet të paraqesin shprehjen e interesit së bashku me dokumentacionin që dëshmon kapacitetet e tyre organizative, sportive, infrastrukturore dhe financiare.
Kandidaturat duhet të dorëzohen në adresën elektronike: sekretare@basketbolli.com
Afati për paraqitjen e shprehjes së interesit është deri më 28 korrik 2026, ora 17:00.
Vendimi për dhënien e Wild Card-it merret nga Bordi i FBK-së në bazë të vlerësimit të përgjithshëm të kandidaturave dhe në përputhje me Statutin, Propozicionet e Garave dhe aktet tjera normative të FBK-së.