17/07/2026
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka filluar me Master Planin për Grumbullimet Rajonale Seleksionuese dhe Kampin Nacional U13 2026, një projekt gjithëpërfshirës që synon identifikimin, vlerësimin dhe zhvillimin e basketbollistëve më premtues të gjeneratës 2013-2014 nga e gjithë Kosova.
Prizreni ishte destinacioni i parë i Projektit, ku djem dhe vajza morën pjesë, duke treguar aftësitë e tyre në basketboll dhe me shpresë se një ditë do të jenë e ardhmja e basketbollit të Kosovës.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim me FIBA, Ministrinë për Sport dhe Rini, klubet, trajnerët, shkollat dhe komunat, duke ndërtuar një sistem të unifikuar, transparent dhe profesional për zbulimin e talenteve që do të përbëjnë bazën e përfaqësueseve të Kosovës në vitet në vijim.
Pas përfundimit të grumbullimeve do të mbahet Grumbullimi Final, ku do të përzgjidhen 25 djem dhe 25 vajza për të marrë pjesë në Kampin Nacional U13.
Kampi do të zhvillohet nga 10 deri më 14 gusht 2026 në Prizren.
Në përfundim të kampit do të përzgjidhen 15 djem dhe 15 vajza, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet dhe turnetë ndërkombëtarë të FIBA Youth Development Fund (YDF) 2026-2027.
Grumbullimet do të vazhdojnë më 20 korrik në Gjakovë, 22 korrik në Mitrovicë, 27 korrik në Prishtinë dhe 29 korrik në Pejë.
Grumbullimet finale do të jenë më 1 dhe 2 gusht në Palestrën ‘1 Tetori’ në Prishtinë.