14/07/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar, pasi për herë të parë një përfaqësuese e saj është angazhuar në selinë qendrore të FIBA-s në Gjenevë, në një prej proceseve më të rëndësishme operative të basketbollit botëror.
Delegatja teknike e FIBA-s, Vlora Braha, nga 1 deri më 7 korrik ishte pjesë e ekipit të FIBA-s që monitoroi të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Kualifikimeve për Kupën e Botës FIBA 2027.
Gjatë kësaj periudhe u monitoruan ndeshje nga katër kontinente - Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika - duke mbuluar një numër të madh takimesh dhe duke koordinuar procese të rëndësishme në nivel global. Ky është një rol që kërkon profesionalizëm të lartë, përgjegjësi të madhe dhe njohje të thellë të organizimit të garave ndërkombëtare.
Braha ishte pjesë e një ekipi prej vetëm shtatë profesionistësh të përzgjedhur nga FIBA, të cilët kishin përgjegjësinë për monitorimin e të gjitha ndeshjeve të kësaj dritareje kualifikuese në mbarë botën. Përzgjedhja në një ekip kaq të vogël dhe elitar përfaqëson një vlerësim të madh për aftësitë profesionale dhe një tregues të besimit që FIBA ka ndaj kuadrove të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Puna u zhvillua në selinë qendrore të FIBA-s në Gjenevë, ku çdo proces menaxhohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Gjatë këtij angazhimi, Braha pati mundësinë të punojë krah për krah me ekspertët më të mirë të basketbollit botëror, duke fituar një përvojë unike mbi mënyrën se si monitorohen, analizohen dhe koordinohen garat ndërkombëtare nga niveli më i lartë i organizimit.
Ky angazhim ishte shumë më tepër sesa një eksperiencë profesionale. Ai ofroi mundësinë për të parë nga afër funksionimin e mekanizmave më të rëndësishëm të FIBA-s, proceset e vendimmarrjes, koordinimin ndërkontinental dhe standardet që aplikohen në organizimin e basketbollit në nivel global.
Përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë kësaj jave intensive pune do të shërbejnë si një vlerë e shtuar për Federatën e Basketbollit të Kosovës, duke kontribuar në avancimin e proceseve organizative dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet më të larta të FIBA-s.