04/07/2026
Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, më 2 korrik qëndroi për vizitë në Kosovë, ku vizitoi zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe zhvilloi një takim pune me Kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.
Novak përgëzoi FBK-në për punën e bërë në hartimin e Planit Strategjik 2026–2030, duke vlerësuar vizionin afatgjatë dhe qasjen profesionale të Federatës në zhvillimin e basketbollit. Ai rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të FIBA Europe për zbatimin e qëllimeve strategjike dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FBK-në në projektet e ardhshme.
Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe falënderoi gjithashtu FBK-në për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në organizimin e eventeve të FIBA-s. Vetëm gjatë vitit 2026, FBK-së i është besuar organizimi i tri ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare: FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier, FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat dhe FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C – Femrat.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Novak ishte i pranishëm edhe në ndeshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të luajtur në Prizren në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.
Vizita e Kamil Novak konfirmon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA Europe, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të organizatës më të lartë evropiane të basketbollit për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Në vazhdën e këtij bashkëpunimi të ngushtë, më 26 korrik Kosovën do ta vizitojë edhe Presidenti i FIBA Europe, Jorge Garbajosa, i cili do të jetë i pranishëm në finalen e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C për Femra, që do të zhvillohet në Pejë. Vizita e Presidentit të FIBA Europe përbën një tjetër dëshmi të besimit dhe vlerësimit që FIBA Europe i kushton FBK-së, si partnere e rëndësishme në organizimin e garave dhe në zhvillimin e basketbollit në rajon.