29/06/2026
Basketbollistja e Maltës, Amber Constance Melgoza, është shpallur Lojtarja Më e Vlefshme (MVP) e FIBA Women's European Championship for Small Countries 2026, pas paraqitjeve të shkëlqyera që udhëhoqën përfaqësuesen e saj drejt titullit të kampiones.
Melgoza ishte liderja e padiskutueshme e Maltës gjatë gjithë turneut të zhvilluar në Pejë, duke spikatur me kontributin e saj në sulm dhe mbrojtje, si dhe me aftësinë për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare të ndeshjeve.
Çmimi iu nda nga Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Përveç çmimit MVP, Melgoza u përfshi edhe në Pesëshen Më të Mirë (All-Star Five) të kampionatit, duke kurorëzuar një turne të jashtëzakonshëm në aspektin individual.
Kampionati Evropian për Shtetet e Vogla u organizua nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me FIBA Europe, duke sjellë në Pejë gjashtë përfaqësuese evropiane dhe basketboll cilësor gjatë gjashtë ditëve të garës.