16/06/2026
Pas muajsh të mbushur me basketboll spektakolar 3x3 në mbarë Kosovën, edicioni i dytë i Alley Oop u mbyll me një super finale që solli emocione deri në sekondat e fundit.
Në betejën për titull, gjashtë kampionët e qyteteve të Kosovës – Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova dhe Suhareka – dhuruan ndeshje të jashtëzakonshme dhe atmosferë fantastike.
Finalja solli përballjen e madhe mes Bero Kingdom dhe Prishtinës. Në një duel dramatik dhe plot rivalitet, bardhekaltrit triumfuan me rezultat 19:17, duke rrëmbyer trofeun dhe duke i dhënë fund dominimit të kampionëve të edicionit të parë.
Përveç titullit, Prishtina fitoi edhe shpërblimin prej 1000 eurosh.
Qëllimi kryesor i projektit Alley Oop mbetet masivizimi dhe promovimi i basketbollit 3x3 në të gjithë Kosovën.
Alley Oop organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës me mbështetjen e FIBA Europe.