10/06/2026
Prishtina do të jetë mikpritëse e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare të basketbollit 3x3, pasi më 13 dhe 14 qershor do të zhvillohet FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier 2026. Ky është edicioni i tretë që kryeqyteti i Kosovës organizon një turne kualifikues për Kampionatin Evropian 3x3, shkruan faqja zyrtare fiba3x3.basketball.
Në konkurrencën e meshkujve, Kosova do të përballet me Irlandën, Azerbajxhanin dhe Maltën, ndërsa vetëm fituesi i grupit do të sigurojë biletën për në FIBA 3x3 Europe Cup 2026 që do të mbahet në Antwerp të Belgjikës.
Edhe në konkurrencën e femrave gara pritet të jetë shumë interesante. Kosova do të ndeshet me Azerbajxhanin, Qipron, Irlandën dhe Maltën, me vetëm një vend në dispozicion për Evropianin.
FIBA 3x3 thekson se Kosova do të kërkojë të përfitojë maksimalisht nga mbështetja e publikut vendas, ndërsa Irlanda dhe ekipet e tjera pjesëmarrëse synojnë rikthimin në skenën evropiane të basketbollit 3x3.
Turneu i Prishtinës është një nga kualifikuesit e fundit për FIBA 3x3 Europe Cup 2026, ku skuadrat do të luftojnë për vendet e fundit që çojnë në fazën finale të garës kontinentale.
Për Kosovën, kjo paraqet një mundësi të madhe për të siguruar pjesëmarrjen në një prej ngjarjeve më prestigjioze të basketbollit 3x3 në Evropë, përpara tifozëve të saj dhe në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese në zemër të Prishtinës.