08/06/2026
Shemsedin Bytyqi dhe Sumeja Osmani kanë përfaqësuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) në Konventën Evropiane të Mini Basketbollit, që është mbajtur nga 4 deri më 7 qershor në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Konventa është organizuar nga FIBA Europe dhe FIBA Foundation në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut, duke mbledhur përfaqësues dhe trajnerë nga federata të ndryshme evropiane për të diskutuar zhvillimin e basketbollit për fëmijë dhe projektet edukative në këtë fushë.
Gjatë punimeve të Konventës janë trajtuar tema të rëndësishme si programi Hoops for Schools, risitë në projektin Basketball For Good, mbrojtja e fëmijëve në sport (Safeguarding), si dhe planifikimi dhe organizimi i festivaleve të mini basketbollit.
Pjesëmarrësit gjithashtu kanë qenë pjesë e aktiviteteve praktike dhe të Festivalit të Mini Basketbollit, ku janë shkëmbyer përvoja dhe ide për zhvillimin e basketbollit te grupmoshat më të reja.
Pjesëmarrja e Bytyqit dhe Osmanit në këtë aktivitet evropian është një mundësi e mirë për avancimin profesional dhe përfitimin e njohurive të reja, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të mini basketbollit në Kosovë.
FBK vazhdon të investojë në edukimin e trajnerëve dhe zhvillimin e basketbollit te fëmijët, duke qenë pjesë aktive e programeve dhe iniciativave të FIBA Europe.