FBK organizon punëtori edukative për fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të basketbollistëve

FBK organizon punëtori edukative për fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të basketbollistëve

07/05/2026

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), në bashkëpunim me Shoqatën e Basketbollistëve dhe Basketbollisteve të Kosovës, më 3 qershor 2026 do të organizojë punëtori edukative të dedikuar basketbollistëve vendorë, si për meshkuj ashtu edhe për femra, me fokus në të drejtat e lojtarëve dhe mbrojtjen e tyre kontraktuale.

Ligjërues i kësaj punëtorie do të jetë avokati ndërkombëtar nga Sllovenia, Blaz Tomazin Bolcar, themelues i zyrës ligjore Bolcar Law Office, i njohur për ekspertizën e tij në të drejtën sportive dhe përvojën në trajtimin e rasteve pranë organeve ndërkombëtare të basketbollit.

Qëllimi i kësaj punëtorie është t’u ofrojë basketbollistëve njohuri praktike dhe të drejtpërdrejta për çështjet që i prekin në përditshmërinë e tyre profesionale, me fokus të veçantë në realitetin dhe sfidat me të cilat përballen lojtarët në Kosovë.

Në këtë kuadër, punëtoria do të përqendrohet kryesisht në:

• elementet bazë dhe standardet minimale të kontratave të lojtarëve, duke përfshirë strukturat e pagave dhe obligimet financiare

• të drejtat dhe detyrimet ndërmjet lojtarëve dhe klubeve

• çështjet që lidhen me lëndimet, trajtimin mjekësor dhe sigurimin

• stabilitetin kontraktual, përfshirë rastet e mos-pagesës, ndërprerjes së kontratës dhe shkeljeve të saj

• si dhe mundësitë reale për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të lojtarëve në Kosovë.

Si pikënisje e diskutimit do të shërbejë kontrata standarde e lojtarit, si elementi themelor i marrëdhënies ndërmjet lojtarëve dhe klubeve, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të kuptojnë më qartë të drejtat dhe obligimet e tyre në praktikë .

Për të ilustruar këto çështje në mënyrë sa më konkrete, gjatë punëtorisë do të prezantohen edhe raste reale nga praktika e Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), duke trajtuar situata si mos-pagesat, ndërprerjet e njëanshme të kontratave, bonuset dhe shkeljet kontraktuale .

Në mënyrë më të përmbledhur, punëtoria do të trajtojë edhe aspektet më të gjera të sistemit të basketbollit, përfshirë rolin e agjentëve, transferet ndërkombëtare, si dhe të drejtat komerciale dhe të imazhit të sportistëve, përfshirë ndikimin e mediave sociale në karrierën e tyre .

Punëtoria do të zhvillohet në format interaktiv, duke kombinuar prezantimet me diskutime dhe shembuj praktikë, dhe do të zgjasë rreth 4–5 orë .

Duke folur për rëndësinë e këtij aktiviteti, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku theksoi:

“Si Federatë, ne e shohim edukimin e lojtarëve si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të basketbollit në Kosovë. Përmes kësaj punëtorie synojmë që basketbollistët tanë të kenë njohuri më të qarta dhe praktike për të drejtat dhe obligimet e tyre, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur dhe më të sigurt në vendimmarrjen e tyre profesionale. Kjo është në linjë me përpjekjet tona të vazhdueshme për të ngritur standardet dhe për të afruar praktikat tona me ato ndërkombëtare.”

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit do të pajisen edhe me materiale përmbledhëse (handbook), të cilat do t’u shërbejnë si udhëzues në të ardhmen.

Ky aktivitet synon fuqizimin e basketbollistëve në Kosovë, duke i ndihmuar ata të marrin vendime më të sigurta, më të informuara dhe të mbrojnë në mënyrë më efektive interesat e tyre profesionale dhe financiare.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners