28/04/2026
Në kuadër të projektit ndërkombëtar “Hoops for Schools”, i mbështetur nga FIBA, në Mitrovicë, në ambientet e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza”, është organizuar aktiviteti i radhës me fëmijët me nevoja të veçanta.
Ky projekt përfshin 10 shkolla fillore nga rajone të ndryshme të Kosovës, me qëllim promovimin e basketbollit, përfshirjen sociale dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët përmes sportit.
Aktiviteti në Mitrovicë u realizua me iniciativën e ShFMU “Fazli Greiçevci”, nën përkushtimin dhe udhëheqjen e profesoreshës Fitore Begu Seferi.
Përmes këtij organizimi, nxënësit patën mundësinë të angazhohen në aktivitete të basketbollit, lojëra bashkëpunuese dhe ushtrime gjithëpërfshirëse që promovojnë zhvillimin fizik, social dhe emocional.
Ky aktivitet thekson rëndësinë e përfshirjes dhe barazisë në sport, duke krijuar një ambient të sigurt, motivues dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit.
“Hoops for Schools” është një projekt madhor nga FIBA, që pritet të zbatohet suksesshëm në vendin tonë.
Qëllimi kryesor i projektit Hoops For Schools është të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë nga e gjithë Evropa që të marrin pjesë në një program shumëdimensional të basketbollit, i cili synon shkollat fillore (fëmijët e moshës 6 deri në 12 vjeç), si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e aktivitetit fizik.
H4S ka hapur një epokë të re për Programin e Zhvillimit të të Rinjve të FIBA Europe; ku paraqet një mundësi të shkëlqyer për Federatat Kombëtare Evropiane që të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes shkollave, klubeve lokale dhe gjithë komunitetit, me qëllim tërheqjen e të rinjve drejt basketbollit.