16/03/2026
Më 17-18 mars 2026, në Kosovë do të mbahet kampi për FIBA gjyqtaret e basketbollit, një aktivitet i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e gjyqtareve në arenën ndërkombëtare.
Kjo është hera e parë që një event i tillë për gjyqtaret femra mbahet në Kosovë.
E, gjithë kjo bëhet me iniciativë të gjyqtares së parë femër në FIBA nga Kosova, Jeta Zeka.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e përkrah fuqishëm këtë kamp, si dhe nismën e Jeta Zekës dhe gjyqtareve femrave në vendin tonë, derisa ky aktivitet po mbahet në kuadër të Planit Strategjik të FBK-së 2026-2030 objektivit "Rrija e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në basketboll".
Në këtë kamp do të marrin pjesë gjyqtare nga disa vende evropiane, përfshirë Kosovën, Greqinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Austrinë dhe Hungarinë. Instruktori i kampit do të jetë Sinisa Herceg, instruktor i FIBA-s për gjyqtarë.
Në këtë Kamp përvec punës teorike në orët e paradites gjyqtaret do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Final 4 të Ligës Unike së Femrave në Prizren, ku janë paraparë dy takime gjysmëfinale më 17 mars:
Peja 03 - Tirana (16:00)
Bashkimi - Flamurtari (19:30)
Ndërsa më 18 mars do të zhvillohen ndeshja për vendin e tretë dhe finalja e madhe.
Me kërkesë të FIBA Instruktorit Nacional, Faton Kurshumlija edhe gjyqtaret e FBK-së kanë mundësinë që të përcjellin prezantimet, ndeshjet, si dhe post evaulimin e gjyqtareve pas çdo ndeshje.
Ky kamp konsiderohet një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe ngritje profesionale të gjyqtareve, duke e vendosur Kosovën edhe një herë në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare të basketbollit.