09/03/2026
Federata e Basketbollit të Kosovës shpall konkurs për organizimin e Final 4 Liga Unike Femrat
Në bazë të nenit 24 të Statutit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Bordi i FBK-së shpall: KONKURS për organizimin e turneut Final Four – Liga Unike Femrat për edicionin 2025/26. Final Four – Liga Unike Femrat për edicionin 2025/26 do të zhvillohet më 17 dhe 18 mars 2026, në qytetin e organizatorit të përzgjedhur.
1. KUSHTET E PËRGJITHSHME
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat juridikë që përmbushin kushtet e përcaktuara në këtë konkurs.
Organizatori i përzgjedhur do të nënshkruajë kontratë me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), në të cilën do të përcaktohen në mënyrë të detajuar të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve lidhur me organizimin e eventit.
2. KUSHTET DHE PËRGJEGJËSITË E ORGANIZATORIT
Kandidatët duhet të garantojnë përmbushjen e kritereve të mëposhtme:
a) Të sigurojnë kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve sipas Rregullave Zyrtare të Basketbollit të FIBA-s, Propozicioneve të Garave të FBK-së dhe akteve të tjera normative në fuqi;
b) Të sigurojnë një palestër që përmbush standardet e kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve të Final Four;
c) Të mbulojnë shpenzimet për akomodimin (hotel) e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe zyrtarëve të ndeshjeve gjatë zhvillimit të turneut;
d) Të sigurojnë DJ, sistem profesional të zërimit, fotograf zyrtar dhe spiker të ndeshjeve;
e) Të sigurojnë pajisjet dhe logjistikën e nevojshme për ceremoninë përmbyllëse të eventit;
f) Të sigurojnë prezencë të mjaftueshme të forcave policore dhe sigurimit privat për garantimin e sigurisë së lojtarëve, stafit, zyrtarëve dhe spektatorëve;
g) Të organizojnë promovimin dhe reklamimin e eventit në nivel lokal përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
3. DETYRIMET E FBK-së
Federata e Basketbollit e Kosovës do të mbulojë dhe organizojë:
• Transmetimin televiziv të ndeshjeve;
• Vendosjen e reklamave LED në palestër;
• Pagesën e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve;
• Kampanjën qendrore të promovimit dhe marketingut të eventit;
• Organizimin e ceremonisë përmbyllëse;
• Stafin organizativ të FBK-së gjatë eventit;
• Kupat dhe medaljet për ekipet finaliste;
• Shpërblimet financiare për ekipet nga Kosova, sipas rregulloreve në fuqi.
4. AKTIVITETE SHTESË
Gjatë zhvillimit të turneut Final Four – Liga Unike Femrat, do të organizohet edhe Klinika e Gjyqtarëve për Femra, e organizuar nga FBK në bashkëpunim me FIBA Europe. Përgjegjësia financiare për organizimin e kësaj klinike do të mbulohet nga FBK.
5. PËRFITIMET DHE TË DREJTAT E ORGANIZATORIT
Organizatori i përzgjedhur do të ketë të drejtën e:
• Shitjes së biletave për eventin;
• Përdorimit të hapësirave për sponsorë dhe reklama brenda palestrës;
• Organizimit të aktiviteteve shtesë në kuadër të eventit, me miratimin paraprak të FBK-së.
6. PROCEDURA E APLIKIMIT DHE AFATI I FUNDIT
Konkursi mbetet i hapur për 3 (tri) ditë nga dita e shpalljes.
Aplikimet për organizimin e Final Four – Liga Unike Femrat duhet të dorëzohen në adresën elektronike: office@basketbolli.com
Aplikimi duhet të përmbajë:
1. Të dhënat e organizatorit dhe përvojën në organizimin e ngjarjeve sportive;
2. Planin organizativ dhe teknik, duke përfshirë vendin e propozuar për zhvillimin e eventit;
3. Planin financiar dhe burimet e financimit për organizimin e eventit.
7. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES
Bordi i FBK-së do të vlerësojë aplikimet duke marrë parasysh këto kritere:
• Përvojën e organizatorit në organizimin e eventeve të ngjashme;
• Kapacitetet infrastrukturore dhe teknike;
• Planin financiar dhe garancinë për mbulimin e shpenzimeve.
FBK rezervon të drejtën që, para marrjes së vendimit përfundimtar, të kërkojë informata shtesë ose të realizojë inspektim të objektit të propozuar për zhvillimin e eventit.
8. INFORMACIONE SHTESË
Për pyetje dhe sqarime shtesë lidhur me këtë konkurs, palët e interesuara mund të kontaktojnë në adresën elektronike: office@basketbolli.com
Federata e Basketbollit e Kosovës rezervon të drejtën për të refuzuar çdo aplikim që nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në këtë konkurs, si dhe të anulojë ose rishpallë konkursin në rast se aplikimet nuk i përmbushin kriteret e kërkuara.