05/03/2026
Në një ndeshje shumë interesante, dramatike, me kthesa e në vazhdime, Trepça fitoi ndaj GO+ Pejës me rezultat 95:98 (20:13, 18:29, 26:24, 23:21, 8:11), në javën e 22-të të ProCredit Superligës.
Sfida ka qenë interesante nga fillimi deri në fund. Vendasit e nisën mirë, duke fituar çerekun e parë 20:13, por kundërpërgjigja e mysafirëve nuk vonoi në periudhën e dytë, 18:29, kurse sfidë tërësisht e baraspeshuar u zhvillua në pjesën e dytë. Minutat e fundit ishin dramatike, derisa për të ngritur adrenalinën në maksimum, Musab Mala shënoi për tri pikë për 87:87, për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Edhe në vazhdime ndeshja ishte e barabartë, por kësaj radhe vendimtar ishte organizatori i mysafirëve, Ja'cori Payne me treshe në sekondën e fundit për 95:98. Ai e mbylli ndeshjen me 27 pikë, pesë kërcime e tri asistime, derisa në anën tjetër Cesare Edwards ishte i jashtëzakonshëm me 30 pikë e 17 kërcime.
GO+ Peja numëron dhjetë fitore e 12 humbje, kurse Trepça është e para me 19 fitore e tri humbje.