27/02/2026
Kosova ka luftuar deri në fund, por pësoi humbje nga Sllovakia me shifrat 78:89 (27:18, 15:30, 24:26, 12:15).
Dardanët e nisën fuqishëm ndeshjen 14:2, por më pas sllovakët u rikthyen, por prapë basketbollistët e Kosovës fituan çerekun e parë 27:18. Periudha e dytë ishte vendimtare, pasi mysafirët u rikthyen dhe barazuan shifrat në 33:33, e më pas kaluan në epërsi 33:36, për të shkuar në pushim 42:48. Pjesa e dytë ishte e baraspeshuar, megjithatë sllovakët ruajtën epërsinë dhe fituan 78:89.
Te Kosova u dalluan kapiteni në këtë ndeshje Lis Shoshi me 18 pikë e gjashtë kërcime dhe Divine Myles me 21 pikë, katër kërcime e pesë asistime, kurse te mysafirët më të dalluarit ishin Maros Golian me 18 pikë e 18 kërcime dhe David De Julius me 26 pikë e tetë asistime.
Sfida ishte e vlefshme për parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2029.
Dardanët kanë një fitore e dy humbje, kurse Sllovakia dy fitore në dy ndeshje.
Kosova dy ndeshjet e fundit në grupe i zhvillon në muajin korrik, ndaj Shqipërisë si vendase dhe Sllovakisë si mysafire.