Vendimet e Bordit të FBK-së

Vendimet e Bordit të FBK-së

13/02/2026

Në mbështetje të kompetencave të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të përcaktuara me Statutin e FBK-së, përkatësisht nenin 24, si dhe në përputhje me Rregulloren e Punës së Bordit, Bordi i FBK-së, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 12.02.2026 në Prishtinë, pas shqyrtimit dhe diskutimit të të gjitha pikave të rendit të ditës, merr këto vendime:

1. Miraton shprehjen e interesimit të KB Rahoveci për organizimin e finales së Kupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve, më 18 shkurt në Rahovec. Organizimi i finales do të realizohet në përputhje me kriteret organizative dhe teknike të përcaktuara nga FBK, ndërsa klubi organizator obligohet të sigurojë kushtet infrastrukturore, logjistike dhe të sigurisë sipas rregulloreve në fuqi.

2. Miraton fillimin e shitjes së biletave online nga çerekfinalet e play-off-it të ProCredit Superligës. Ky vendim synon rritjen e qasjes së tifozëve, përmirësimin e menaxhimit të hyrjeve dhe transparencës financiare, si dhe modernizimin e procesit të shitjes së biletave në përputhje me praktikat bashkëkohore të organizimit të garave.

3. Emëron përzgjedhës të Përfaqësueses A të Femrave Lorik Kllokoqin, dhe ndihmëstrajner Laberion Ibrahimin. Në funksion të kompletimit të stafit teknik të Përfaqësueses A të Femrave dhe në përputhje me objektivat strategjike të FBK-së për fuqizimin e basketbollit të femrave dhe promovimin e përfaqësimit gjinor në strukturat teknike, Bordi njofton se në ditët në vijim do të shqyrtojë dhe emërojë edhe një deri në dy trajnere femra.

Ndërkaq për përfaqësueset e tjera emëron:

Përfaqësuesja U20 Meshkujt

• Kryetrajner: Andin Rashica

• Ndihmëstrajner: Elbesar Geshtenja

• Ndihmëstrajner: Granit Makolli

Përfaqësuesja U18 Meshkujt

• Kryetrajner: Endrit Elshani

• Ndihmëstrajner: Ermal Selmani

• Ndihmëstrajner: Safet Kastrati

Përfaqësuesja U18 Femrat

• Kryetrajner: Egzon Uka

• Ndihmëstrajner: Era Shatri

• Ndihmëstrajner: Shemsedin Bytyqi

Përfaqësuesja U16 Meshkujt

• Kryetrajner: Gyltekin Selimi

• Ndihmëstrajner: Laurant Ibrahimi

• Ndihmëstrajner: Driton Rraci

Përfaqësuesja U16 Femrat

• Kryetrajner: Qendrim Demi

• Ndihmëstrajner: Agnesa Robaj

• Ndihmëstrajner: Arber Rushiti

Emërimet bëhen në bazë të propozimit të Drejtorit të Përfaqësueseve të Kosovës në konsultim me Këshillin Profesional të FBK-së dhe në përputhje me planin programor të ekipeve kombëtare për ciklin garues 2026. Stafi teknik obligohet të veprojë në përputhje me rregulloret dhe objektivat strategjike të FBK-së.

4. Cakton datën 23 mars 2026 për mbajtjen e Kuvendit të Punës të FBK-së. Sekretarja e Përgjithshme obligohet të ndërmarrë të gjitha veprimet administrative dhe organizative për përgatitjen e Kuvendit, përfshirë njoftimin me kohë të anëtarëve dhe përgatitjen e materialeve përkatëse sipas Statutit dhe rregulloreve të FBK-së.

5. Cakton Vlora Brahën, Zyrtare për Integritet dhe Mbrojtje në FBK, si zyrtare përgjegjëse për pranimin dhe trajtimin e sinjalizimeve në FBK, si dhe Enea Hajdarin, Këshilltare Ligjore për Sport në FBK, si zyrtare për mbrojtjen e të dhënave në FBK. Këto emërime bëhen në përputhje me politikat e FBK-së për integritetin, mbrojtjen dhe trajtimin e sinjalizimeve, si dhe me obligimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim forcimin e mekanizmave të qeverisjes së mirë dhe transparencës institucionale.

Në emër të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben FETAHU

Federata e Basketbollit të Kosovës

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners