Të shtunën është zhvilluar xhiroja e shtatë në Superligën e Femrave.
Ndeshja kryesore padyshim ishte ndërmjet Vëllaznimit dhe Kosovahome Prishtinës, ku fitore shënoi skuadra kuqezi me rezultat 83:75 (20:8, 15:15, 20:22, 28:30).
Skuadra vendase e nisi ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 20:8, dhe epërsinë e ruajtën deri në fund, duke triumfuar 83:75, që ishte fitorja e dytë ndaj skuadrës prishtinase në këtë edicion.
Te Vëllaznimi u dalluan Raven Baker me 37 pikë e 12 topa të vjedhur, Sarah Mgbeike me 16 pikë e 18 kërcime dhe Rina Hoda me 15 pikë, kurse te Prishtina më të mirat ishin Enisa Kamerolli me 23 pikë e tetë kërcime, Besjana Martinaj me 19 pikë e gjashtë kërcime dhe Era Shatri me 13 pikë e 10 kërcime.
Vëllaznimi ka gjashtë fitore dhe një humbje, kurse Kosovahome Prishtina tri fitore dhe tri humbje.
Fitoren e shtatë radhazi e ka shënuar Bashkimi, që ka mundur Trepçën 66:42 (12:15, 28:6, 17:5, 9:16).
Lejzae Davidson kishte 16 pikë për Bashkimin, kurse Sihana Ramoja kishte 19 pikë për Trepçën. Derisa skuadra prizrenase ka shtatë fitore në shtatë ndeshje, ajo mitrovicase ka një fitore dhe gjashtë humbje.
Penza ka mundur në udhëtim Kastriotin me shifrat 58:66 (20:12, 14:18, 12:19, 12:17).
Te Kastrioti si zakonisht më e dalluara ishte Agnesa Rrahmani me 34 pikë, kurse te Penza po ashtu si zakonisht u dallua Valbona Bytyqi me 28 pikë e 17 kërcime. Skuadra ferizajase ka shtatë humbje në shtatë ndeshje, kurse ajo pejane tri fitore dhe tri humbje.