Në fundjavë është zhvilluar xhiroja e tetë në Ligën e Parë.
Ndeshja kryesore ka qenë ndërmjet Istogut dhe RC Cola Dritës, ku gjilanasit shënuan fitore në udhëtim me shifrat 85:86. Rinor Ahmeti realizoi dy pikë, 1 minutë pa përfunduar ndeshja, duke i siguruar skuadrës së tij fitoren e shtatë radhazi, derisa kanë vetëm një humbje në xhiron e parë nga AS Prishtina, kurse istogasit kanë pesë fitore dhe dy humbje.
AS Prishtina ka regjistruar fitoren e tetë, duke mundur Megasports 87:75. Skuadra prishtinase ka tetë fitore në tetë ndeshje, duke qenë skuadra e vetme në Ligën e Parë pa asnjë humbje, kurse Megasports ka dy fitore dhe gjashtë humbje.
Fitoren e gjashtë e ka regjistruar Marigona Hill Prishtina, që numëron edhe dy humbje, ku në këtë xhiro ka mundur Vushtrrinë në udhëtim 67:75. Vushtrriasit kanë katër fitore dhe katër humbje.
Feronikeli, që edicionin e kaluar garoi në Superligë, ka mundur Prishtinën e Re 94:68. Nikli ka dy fitore dhe pesë humbje, kurse prishtinasit një fitore dhe shtatë humbje.
Skuadra tjetër që edicionin e kaluar garoi në Superligë, Lipjani, ka pësuar humbjen e tetë në tetë ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në këtë rang garash. Lipjanasit pësuan 95:86 nga New Basket. Kjo e fundit ka katër fitore dhe katër humbje.