Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Sportit Shkollor në Republikën e Kosovës (FSSHRK) kanë vazhduar me vizita në shkolla, ku është duke u zhvilluar Programi i rëndësishëm “Sport në Shkolla”
Kësaj radhe është vizituar Shkolla “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Në vizitë kanë qenë ish-basketbollisti i Kosovës dhe i cili ka fituar shumë trofe në basketbollin e Kosovës, Granit Rugova, si dhe basketbollistja e Përfaqësueses së Kosovës, Marigona Rushiti, e cila po ashtu ka fituar shumë trofe.
Njëkohësisht Rugova dhe Rushiti mbajnë rekordet për pikët e shënuara në basketbollin e Kosovës. Graniti te meshkujt dhe Marigona te femrat.
Si Rugova, ashtu edhe Rushiti kanë treguar për fëmijët përvojën e tyre në basketboll dhe sa e rëndësishme është që fëmijët të merren me basketboll.
Në vizitë kanë qenë Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve në FBK së bashku me Arbisa Shefkiun, koordinatore e programit nga FSSHRK.
"Sporti në Shkolla" është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës.
Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me basketbollin 3x3 dhe Federata e Shahut të Kosovës.