Bashkimi ka fituar derbin prizrenas dhe ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme për “Play-off”, duke mundur Proton Cable Prizrenin me rezultat 90:101 (19:20, 21:28, 26:29, 24:24), në javën e 25-të të Prince Caffe Superligës.
Bashkimi e nisi ndeshjen më mirë me një seri prej 5:14, por vendasit u rikthyen shpejt dhe afruan shifrat në 19:20, sa përfundoi çereku i parë, derisa lojë e barabartë u zhvillua edhe në periudhën e dytë, deri në fund, kur Portokallezinjtë me tetë pikë radhazi, shkuan në pushim 40:48. Bashkimi ngriti epërsinë deri në 14 pikë, 55:69, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 66:77. Proton Cable Prizreni afroi shifrat në 90:95, por nuk arriti më shumë dhe Bashkimi triumfoi 90:101.
Ty Cockfield me 27 pikë, pesë kërcime e katër asistime u dallua te vendasit, derisa Lejson Zeqiri me 26 pikë, tetë kërcime e katër asistime te mysafirët ishte më i miri.
Proton Cable Prizreni mbetet në vendin e shtatë me shtatë fitore e 18 humbje, kurse Bashkimi i gjashti me dhjetë fitore e 15 humbje.