Bashkimi është gjysmëfinalisti i tretë i Kupës së Kosovës në basketboll. Në derbin e kësaj çerekfinale, prizrenasit kanë mundur Pejën me rezultat 64:73 (14:16, 12:20, 22:16, 16:21), për të depërtuar në gjysmëfinale.
Çereku i parë ishte kryesisht i baraspeshuar me prizrenasit që për një nuancë ishin më të mirë, megjithatë pejanët nuk lejuan shkëputjen dhe kjo pjesë e luftuar nga të dy skuadrat përfundon 14:16. Por, në periudhën e dytë, prizrenasit ishin më të mirë, duke pasur epërsi dy herë deri në 13 pikë, kurse në pushim shkuan me shifrat 26:36.
Kampionët e Kosovës rikthehen në periodën e tretë për të afruar rezultatin në dy pikë, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 48:52. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua një luftë e madhe në parket e me rikthime, ku në momentet vendimtare Portokallezinjtë ishin më të mirë dhe fituan 64:73.
Basketbollisti më i mirë në parket ishte Erik Copes me 16 pikë e nëntë kërcime.
Bashkimi në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjen Proton Cable Prizreni-Sigal Prishtina që zhvillohet nga ora 20:00.