Sot në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë është mbajtur konferenca për media, lidhur me organizimin e Final 8 Kupës së Kosovës në basketboll.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku është shprehur se, pret festë të basketbollit në Gjakovë nga 13 deri 17 shkurt. “Pas rreth një dekade Final 8 po rikthehet në Kosovë, ku po besojmë se do të jetë një atmosferë e mirë sportive. Nga 13 deri më 17 shkurt do të shohim basketboll cilësor dhe festë të basketbollit, ku finalet (femrave dhe meshkujve) do të luhen pikërisht më 17 shkurt, Festën e Pavarësisë së Kosovës. Që të jetë spektakël është lejuar udhëtimi i tifozëve, por jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Republikës së Kosovës, që kjo festë të kalojë pa ekses”, ka theksuar Dushku në konferencën për media
Adea Roka, Drejtoreshë e Sportit në Komunën e Gjakovës theksoi se për komunën e Gjakovës, kjo ngjarje është shumë e rëndësishme. “Për ne si komunë dhe qytetin tonë, kjo ngjarje është shumë e rëndësishme. Uroj që gjithçka të shkoj mirë dhe të jetë spektakël i basketbollit dhe të gjithë që vijnë të jenë të kënaqur me atmosferën, por edhe qytetin tonë”, nënvizoi Roka.
Jeton Bakalli, anëtar i Bordit të KB Vëllaznimi, deklaroi se beson që ky event do të kalojë siç është më së miri. “Jemi shumë të lumtur që po e organizojmë këtë ngjarje shumë të rëndësishme për ne. Shpresoj që të gjithë tifozët dhe klubet të kalojnë sa më bukur për Final 8. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë incident dhe shpresoj se kështu do të vazhdojë deri në finale. Për ne është e rëndësishme përgatitja e kësaj ngjarje dhe jemi në koordinim me të gjitha palët që të shkojë sipas planit”, u shpreh Bakalli.
Dushku në fund foli edhe për Klinikën e Gjyqtarëve që po ashtu do të organizohet në Gjakovë. “Do të kemi edhe një Klinikë të Gjyqtarëve që do të mbahet në Gjakovë. Ata do të ndajnë drejtësinë në Final 8. Është një klinikë që organizojmë çdo vit dhe FIBA na ka besuar çdo vit. Kjo klinikë është mjaft e rëndësishme për FIBA-n”, theksoi Dushku.
Në Final 8 do të garojnë tetë skuadrat e elitës së meshkujve, dy skuadrat më të mira te femrat në finale, dhe katër skuadrat më të mira të Ligës së Parë në konkurrencën e meshkujve.
Orari
13.02.2024
14:00 Bora - Kosovari
17:00 Trepça - Istogu
20:00 Golden Eagle Ylli - Vëllaznimi
14.02.2024
14:00 Vushtrria - New Basket
17:00 Peja - Bashkimi
20:00 Sigal Prishtina - Proton Cable Prizreni
15.02.2024
14:00 Finalja - Liga e Parë
17:00 Gjysmëfinalja I
20:00 Gjysmëfinalja II
17.02.2024
14:00 Finalja: KBF Prishtina - KBF Bashkimi
17:00 Finalja: Kupa e Kosovës