Është nënshkruar marrëveshja zyrtarisht ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe kompanisë Albi Mall.
FBK dhe Albi Mall kanë nënshkruar marrëveshjen për 4 vjet, ku të dyja palët janë shprehur të kënaqur për arritjen e marrëveshjes dhe bashkëpunimin e ngushtë, që do të kenë për të ardhmen.
Në konferencën për media, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku është shprehur shumë e lumtur për arritjen e marrëveshjes. “Jemi shumë të lumtur të nënshkruajmë një kontratë partneriteti me Albi Mall, një kapitull që do të shënoj rritje dhe sukses për federatën tonë. Jemi të bindur se sinergjia ndërmjet FBK-së dhe Albi Mall do të çojë në rezultate të shumta pozitive. Ky partneritet është një dëshmi e fuqisë së unitetit, qëllimeve të përbashkëta dhe një angazhimi kolektiv për përsosmëri”, ka thënë Dushku ndër të tjera në konferencën për media.
Edhe Albi Humolli, përfaqësues i Albi Mall ishte shumë i lumtur për marrëveshjen dhe bashkëpunimin me Federatën e Basketbollit të Kosovës. “Ne si Albi Mall, një kompani me përvojë shumë vjeçare në tregun e Kosovës jemi shumë të lumtur për këtë marrëveshje, pasi basketbolli është shumë i popullarizuar në vendin tonë. Ne e dimë sa është e rëndësishme të investojmë në kulturë dhe në sport. Duke parë rëndësinë që ka basketbolli në vendin tonë, na bënë më të lehtë të bashkëpunojmë me një federatë si është basketbolli dhe jemi shumë të lumtur për arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë Humolli para mediave.