Peja e ka fituar derbin ndaj rivalëve të vjetër, Bashkimit, me rezultat 88:94 (23:23, 20:26, 23:24, 22:21), në javën e 14-të të Prince Caffe Superligës.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arriti shkëputjen, duke përfunduar 23:23. Edhe periudha e dytë ishte e barabartë, me verdhezinjtë që në këtë pjesë ishin më të mirë, për të shkuar në pushim me shifrat 43:49.
Kampionët e Kosovës vazhduan me lojë të mirë dhe në periudhën e tretë ngritën epërsinë, që ishte 9, 10 e 11 pikë, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 66:73. Por, prizrenasit nuk u dorëzuan dhe afruan rezultatin në 82:83, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe Peja triumfoi 88:94.
Te Bashkimi u dalluan Erik Copes me 29 pikë e pesë kërcime dhe Altin Morina me 12 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime, kurse te Peja më i miri ishte Jay Jay Chandler me 25 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime, duke u ndihmuar nga Ural King me 20 pikë e nëntë kërcime dhe Larry Thomas me 17 pikë e nëntë asistime.
Prizrenasit kanë katër fitore e dhjetë humbje, kurse pejanët numërojnë dhjetë fitore e katër humbje.