E nderuara Familja Bajra
I dashur komunitet i basketbollit,
Me zemër të thyer e pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj e pjesëtarit të komunitetit tonë - Illmenit.
Illmenin do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të afërt e të dashur, si një punëtor të madh dhe një person të apasionuar pas sportit të zemrës sonë, të cilit ia ka kushtuar tërë karrierën e tij profesionale. Bajra ishte bashkëpunues me kolegët, me lojtarët dhe lojtaret, si dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve tregonte shumë respekt e dashuri. Jam i bindur që ikja e parakohshme e tij në amshim e ka shokuar tërë komunitetin e basketbollit në vend, ashtu siç më shokoi mua dhe kolegët në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Përkundër lajmeve të rënda që po merrnim tash e sa ditë nga familja Bajra për gjendjen e tij, ne vazhdonim të shpresojmë se zemra e madhe prej sportisti e Illmenit do ta përballonte edhe këtë sfidë. Për fat të keq, sot ajo që druanim më së shumti, u bë realitet.
E di që Illmeni ka lënë gjurmë kudo që ka kaluar si individ dhe profesionist, me një karrierë të bujshme përkundër moshës së re, dhe jam i bindur njerëzia, afërsia, respekti, mentaliteti i fituesit dhe dashuria që e ka shprehur për lojën do të mbahet mend gjatë nga të gjithë njerëzit dhe klubet ku ai ka punuar, si trajner i Bashkimit te meshkujt dhe femrat, si ndihmëstrajner te Prishtina, Prizreni e Rahoveci, por edhe në skuadrën gjermane të cilën po e udhëhiqte në momentin kur u godit nga sëmundja mizore – Bad Homburg Falcons.
Federata e Basketbollit të Kosovës humbi një bashkëpunëtor të zellshëm dhe një pjesëtar të respektuar dhe me perspektivë të komunitetit të basketbollit, ish-përzgjedhësin e përfaqësueses së femrave U18 dhe ish-ndihmëstrajnerin e kombëtares A, ndërsa ne që e njohëm për së afërmi e humbëm një mik të mirë, një djalë të vyer e familjar të dashur.
Në emrin tim personal dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bajra dhe gjithë komunitetin e basketbollit.
Me Respekt,
Arben Fetahu,
Kryetar i FBK-së