Të hënën është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit për Projektin “Sporti në Shkolla” ndërmjet Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës së Shahut të Kosovës.
Qëllimi i këtij Memorandumi është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës (FSSHRK), Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës së Shahut të Kosovës (FSHK) rreth implementimit të projektit ‘Sporti në Shkolla’, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Qëllimet kryesore të projektit ‘Sporti në Shkolla’ janë:
Inkuadrimi dhe praktikimi i sportit të basketbollit 3x3 dhe atij të shahut në shkollat publike si aktivitet ekstrakurrikular;
Organizimi i garave;
Promovimi i vlerave sportive dhe trajtimi i çështjeve sociale përmes sportit; dhe
Ngritja e kapaciteteve njerëzore në fushën e edukimit dhe sportit.
Federata e Basketbollit e Kosovës do të bëjë Inkuadrimin e Basketbollit 3x3 në shkollat e caktuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), listë e cila do sigurohet konform kritereve të pajtuara mes palëve të këtij Memorandumi dhe MKRS-së, Organizimin e aktiviteteve për ngritje të kapaciteteve; Organizimi i aktiviteteve ekstrakurrikulare, përfshirë këtu stërvitjet e basketbollit 3x3 në shkolla dhe Organizimin e garave të basketbollit 3x3 ndërmjet shkollave në nivel rajonal dhe komunal.
Nxënësit e shkollave publike do të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në aktivitete të rregullta sportive në 34 shkollat e 23 komunave.