E shtunë, ora 16:00. Të gjithë adhuruesit e basketbollit të Kosovës do të kenë sytë tek “El Clasico” mes Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Ky derbi vjen në një moment shumë të veçantë, pasi të dy skuadrat janë në top formë. Bardhekaltrit kanë katër fitore e një humbje, kurse pejanët numërojnë pesë fitore në pesë ndeshje, duke e bërë këtë sfidë edhe më interesante. Verdhezinjtë janë skuadra e vetme e pamposhtur në këtë edicion të elitës së basketbollit.
Përballjet ndërmjet Prishtinës dhe Pejës kanë qenë gjithmonë interesante, e kështu pritet të jetë edhe të shtunën.
Adhuruesit e basketbollit do të kenë mundësi të shohin një spektakël të basketbollit, ndërsa atmosfera në këso sfida ka qenë gjithmonë ‘elektrizuese’.
Takimi i dytë i së shtunës do të zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Proton Cable Prizrenit, ku momentalisht të dy skuadrat nuk janë në formën optimale, pasi kanë nga një fitore dhe katër humbje, e kjo e bën edhe më të rëndësishme këtë sfidë.
Nga një fitore dhe katër humbje kanë edhe Istogu e Vëllaznimi që përballen të dielën. Sigurisht dy skuadrat synojnë fitoren e dytë në këtë edicion. Istogasit fitoren e vetme e kanë ndaj Bashkimit, kurse Kuqezinjtë ndaj Golden Eagle Yllit. Takimi zhvillohet në Pejë.
Java e gjashtë në Prince Caffe Superligë do të mbyllet me një tjetër sfidë interesante, ku ndeshen dy skuadrat me traditë, Bashkimi dhe Trepça. Prizrenasit kanë tri fitore dhe dy humbje, kurse mitrovicasit katër fitore e një humbje.
Java 6-Prince Caffe Superliga
E shtunë
16:00 Sigal Prishtina - Peja
19:00 Golden Eagle Ylli - Proton Cable Prizreni
E diel
17:00 Istogu - Vëllaznimi
19:00 Bashkimi - Trepça