Bora është skuadra e vetme me 100 % fitore në Ligën e Parë të Meshkujve.
Skuadra prishtinase në ndeshjen e fundit ka mundur Kosovarin me rezultat 78:89. Tetë minutat e parë të sfidës ishin të barabartë, por pranë rezultatit 17:17, prishtinasit me një seri të suksesshme e fituan çerekun e parë 17:26. Me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 32:50. Bora menaxhoi lojën në pjesën e dytë për të regjistruar fitoren e katër në katër ndeshje, kurse Kosovari ka dy fitore e një humbje. Eliot Peci me 19 pikë dhe Arti Islami me 18 ishin më të dalluarit te Kosovari i Bardhit të Madh, ndërsa te prishtinasit më të mirët ishin Kujtim Ujkani me 16 pikë e tetë kërcime, Tyus Jefferson me 17 pikë e shtatë kërcime.
New Basket ka shënuar fitore bindëse kundër Gjakovës së Re, 122:55, ku prizrenasit dominuan nga fillimi deri në fund. Te prizrenasit u dalluan Rilind Krasniqi me 24 pikë e shtatë kërcime, Hajriz Hajzeri me 14 pikë, tetë kërcime e 15 asistime, Rinol Gashi me 20 pikë dhe Almamy Syla me 12 pikë e 13 kërcime, derisa te skuadra nga Gjakova, më i dalluari ishte Bleonis Tanushi me 12 pikë e gjashtë kërcime.
New Basket ka dy fitore e dy humbje, kurse Gjakova e Re tri humbje në tri ndeshje.
Drita vazhdon të jetë pa fitore në këtë rang garash ku pësoi humbjen e tretë, kësaj radhe nga Borea, që tani ka tri fitore e një humbje. Pejanët fituan 71:75. Borea e fitoi pjesën e parë 23:40, ndërsa gjilanasit afruan shifrat, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe pësuan humbjen e tretë. Diellor Maksuti ishte më i miri te gjilanasit me 13 pikë, 13 kërcime e pesë asistime, ndërsa te pejanët Sokol Nila realizoi 21 pikë, kurse Andi Ahmeti shtoi 14 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime dhe Bujar Ceku me 14 pikë e nëntë kërcime.
AS Prishtina-Vushtrria nuk u zhvillua.
Java 4-Liga e Parë e Meshkujve
NEW Basket - Gjakova e Re 122:55
Drita – Borea 71:75
Kosovari – Bora 78:89
AS Prishtina – Vushtrria (Nuk u zhvillua)