06/10/2023 FBK

Dushku ndau përvojën e FBK-së në projektet e Erasmus + me organizatat sportive në vendin tonë

Organizuar nga zyra e Erasmus + në Kosovë është mbajtur sesioni informues për ngritjen e kapaciteteve në sport, në të cilin morën pjesë Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive, përfshirë Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) të cilat u informuan për mënyrat e aplikimit, thirrjet dhe detajet tjera për aplikim në programet e Erasmus +.

 

Në emër të KOK-ut, ka folur Sekretari i Përgjithshëm, Besim Aliti, i cili ndau përvojat e KOK-ut me dy projektet e fituara në Erasmus +, derisa ai inkurajoi edhe përfaqësuesit e federatave për të shfrytëzuar mundësinë që ofrojnë programet e Erasmus +.  Sekretari i përgjithshëm, Aliti, përmendi edhe organizimin e Platformës Evropiane për Sport, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Kosovë, dhe ku pjesëmarrës do të jenë përfaqësues të 33 shteteve.

 

Ndërkaq pas KOK-ut fjalën e mori Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila foli për dy projektet e fituara në kuadër të programeve të Erasmus +: PROMISE (A STEP FORWARD FOR WOMEN IN BASKETBALL) dhe Safeguarding the Future. FBK njëherësh është federata sportive e vetme në Kosovë që ka projekte të fituara në Erasmus + dhe për këtë arsye Dushku është ftuar nga zyra e Erasmus + në Kosovë që të ndajë përvojën e FBK-së me pjesëmarrësit e tjerë.

 

Dushku ka theksuar se projektet Erasmus+ do t'i ofrojnë Federatës së Basketbollit të Kosovës mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar, ngritjen e kapaciteteve, financimin dhe promovimin e zhvillimit të sportit dhe rinisë, të cilat do të kontribuojnë në rritjen dhe suksesin e basketbollit në Kosovë.

 

Ndërkaq nga Erasmus + (EACEA) fjalën e mori Marc Patuzzo, i cili ka prezantuar të gjitha mundësitë e hapura për Kosovën në fushën e sportit.

 

Qëllimi i projektit PROMISE është të promovojë përfshirje dhe pjesëmarrje më të madhe të vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësisë përmes hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi të ndërhyrjes. PROMISE është një partneritet bashkëpunimi me 7 organizata nga 6 vende evropiane (Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Bullgaria dhe Franca).

 

Ky projekt do të zgjasë 30 muaj, duke filluar nga janari 2023 deri në qershor 2025.

 

Safeguarding the Future është një projekt që synon të krijojë mekanizma në Kosovë, Estoni dhe Bullgari që sigurojnë një përvojë basketbolli të sigurt, pozitive dhe argëtuese për të gjithë njerëzit e përfshirë në basketboll, me theks të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. Qëllimi kryesor i projektit është të ndërmarrë veprime për të mbrojtur njerëzit nga çdo lloj abuzimi në basketboll. Për ta bërë këtë, projekti do të krijojë sisteme mbrojtëse për të gjitha federatat kombëtare të basketbollit, në Kosovë, Estoni dhe Bullgari.

 

Ky projekt do të zgjasë 18 muaj, duke filluar nga janari 2024 deri në qershor 2025.




Lexo dhe:

Supported by:
Official General Sponsor of the Kosovo National Teams:
Official General Sponsor of the Men's Superliga:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters:
Supported by:
Official General Sponsor of the Kosovo National Teams:
Official General Sponsor of the Men's Superliga:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters: