Divine Myles është rikthyer te Kosova dhe premton maksimumin.
Ai është i lumtur që luan për Dardanët, si amerikani i vetëm i natyralizuar. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer në Kombëtaren e Kosovës. Të përfaqësoj Kosovën. Po përmirësohemi nga dita në ditë. Po ndihem shumë mirë dhe shpresoj se do të fitojmë ndaj Luksemburgut dhe ndaj Sllovakisë”, është shprehyr Myles për faqen zyrtare të FBK-së dhe T7.
Ai beson se kanë gjasa të mira për tu kualifikuar tutje. “Nuk luajmë asnjëherë për humbje, por vetëm për fitore. Kemi luajtur më parë ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë dhe i njohim. Besoj se gjasat janë të mira për të fituar”, është shprehur Divine Myles.
Dardanët do të luajnë në shtëpi përballë Luksemburgut (18 Shkurt) dhe Sllovakisë (20 Shkurt), në ndeshjet e fundit në Grupin B.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Orari
18 Shkurt
16:00 Sllovakia-Islanda
19:00 Kosova-Luksemburgu
20 Shkurt
16:00 Luksemburgu-Islanda
19:00 Kosova-Sllovakia