Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë përgatitjet për parakualifikimet e Kupës së Botës 2023. Stërvitjet kanë filluar nga dita e martë dhe tashmë po zhvillohen dy herë në ditë.
Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Kjo është dita e tretë e stërvitjeve dhe deri më tani po shkojnë shumë mirë. Kemi një ekip të kombinuar mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të ri. Ne jemi duke u përgatitur për të ardhmen dhe njëkohësisht për të tashmen, ku kemi dy ndeshje ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës për faqen zyrtare të FBK-së dhe T7.
Dardanët do të luajnë në shtëpi, por pa ndihmën e tifozëve. “I kuptojmë vështirësistë me Covid-19, ku lojtarët ende nuk janë 100 % të formës fizike, por u kam thënë djemve se duam të sjellim energji pozitive, sepse përfaqësojmë shtetin, përfaqësojmë Kosovën.
Të luash në Kosovë është shumë mirë, por pa tifozë është e tmerrshme, megjithatë lojtarët duhet të mësohen. Pa mbështetjen e tifozëve është sikur të mungon një element shumë i rëndësishëm në lojën tonë”.
Ai foli për ardhjet e reja, Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri.
“Ata vijnë nga vende të tjera, nga kategori tjera. Jemi duke u munduar t’i ndihmojnë dhe të adaptohen në ekipin tonë”, u shpreh Marmarinos, i cili foli edhe për gjendjen e Gëzim Morinës dhe Drilon Hajrizit.
“Varet nga rekomandimet e mjekëve nëse do të jenë në gjendje të luajnë. Nëse do të luajnë do të jetë mirë, por nëse jo do të mundohemi të mbulojmë hapësirën e krijuar”, deklaroi Christos Marmarinos.
Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.
https://www.youtube.com/watch?v=2ZZ4GBD3zok&feature=youtu.be