Spektakli i basketbollit 3x3 do të pushojë vetëm një ditë, pasi nga 14 deri 16 korrik organizohet FIBA 3x3 Women's Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina, ku FBK është bashkëorganizatore e kësaj ngjarje, kurse organizatore është klubi Prishtina 3x3.
Po ashtu edhe kjo ngjarje zhvillohet në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në qendër të Prishtinës.
FIBA 3x3 Women’s Series është ngjarja numër një në basketbollin profesionist të 3x3 në konkurrencën e femrave. Edicioni filloi në maj dhe përfundon në shtator.
14 shtete do të marrin pjesë në FIBA Women’s Series që do të organizohet në Prishtinë: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Lituania, Hungaria (2 ekipe), Letonia, Azerbajxhani (2 ekipe), Izraeli, Ukraina, Turqia, Kosova dhe Gjermania.
Për Kosovën do të paraqiten: Saranda Daci, Enisa Kamerolli, Agnesa Rrahmani dhe Sara Vraniqi.
Kjo është hera e parë që Kosova garon në FIBA 3x3 Women’s Series, ku ndeshja e parë do të jetë ndaj Holandës nga ora 17:25.
Super garë pritet edhe 3x3 te meshkujt, ku garojnë: Antwerp i Belgjikës, Amsterdam i Holandës, Raudondvaris i Lituanisë, Miami i SHBA-së, Dusseldorf i Gjermanisë, NY Harlem i SHBA-së, Warsaw i Polonisë, Tel-Aviv i Izraelit, Fribourg i Zvicrës, Versailles i Francës, San Juan i Porto Rikos, Ashdod i Izraelit, Bojnice i Sllovakisë, BarBon i Prizrenit nga Kosova.
Në ditën e parë ndeshjet do të fillojnë nga ora 14:00 dhe do të vazhdojnë deri në ora 23:00. Në ditën e dytë ndeshjet do të fillojnë nga ora 10:00 deri në ora 23:00 dhe në ditën e tretë nga ora 18:00 deri në ora 22:30.
Edhe në këtë ngjarje do të ketë shumë lojëra shpërblyese, muzikë dhe gara të ndryshme dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë.