Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku ka qenë pjesë e panelit në aktivitetin e organizuar nga Misioni i OSCE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) në Kosovë të quajtur Akademia e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja që është mbajtur në hotel Trofta në Istog.
Dushku me këtë rast e ka ndarë me vajzat e reja rrugëtimin në karrierën e saj duke shërbyer si tregim suksesi për vajzat e reja.
Gjithashtu Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së ka folur për qëllimin e veçantë të Federatës në kuadër të Planit Strategjik 2021-2025 e që është "Vajzat dhe Gratë në Basketboll". Në këtë pikë Dushku dhe vajzat pjesëmarrëse e kanë bërë një bashkëbisedim shumë të frytshëm, ku ato kanë pasur rastin që të njoftohen për së afërmi me punën që FBK e bën për rritjen e numrit të vajzave që merren me basketboll, qëndrimin në basketboll, si dhe mundësinë për ish basketbolliste që të bëhen gjyqtare, trajnere, delegate e administratore të sportit.
Vajzat pjesëmarrëse e kanë falënderuar Dushkun për ndarjen e rrugëtimit të saj me to dhe në njëjtën kohë janë shprehur shumë të motivuara në realizimin e ëndrrave të tyre.
Duhet theksuar se që nga viti 2019, Misioni i OSCE-së në Kosovë ka organizuar Akademinë e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja, e cila bashkon 20 vajza të reja të moshës 16 deri në 19 vjeç nga komunitete të ndryshme të Kosovës.
Gjatë këtij programi transformues pesë-ditor, pjesëmarrësit angazhohen në aktivitete të ndryshme, duke përfshirë ushtrime për ndërtimin e ekipit, të mësuarit nga bashkëmoshatarët dhe trajnimin ndërveprues të fokusuar në pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe të rejave në proceset publike dhe të politikëbërjes, udhëheqje, dhe edukimin kritik mediatik.