Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku të shtunën në Lubljanë ishte pjesë e panelit "Women in Leadership Forum" me ftesë të FIBA (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit).
Krahas Dushkut pjesë e panelit ishin edhe Presidentja e Federatës së Basketbollit të Rumanisë dhe nënpresidentja e FIBA Evropës, Carmen Tocala, anëtarja e Bordit të FIBA Evropës, Elisabeth Egnell, si dhe Drejtoresha e Garave&Ligave në Federatën e Basketbollit të Spanjës, njëherësh edhe anëtare e Bordit të FIBA Evropës, Elisa Aguilar, të cilat kanë pasur mundësinë që para 20 pjesëmarrëseve të programit WiLEAD nga Federatat Nacionale dhe krerëve më të lartë të FIBA-s të flasin për:
- Çfarë i ka motivuar të rriten dhe të bëhen lidere në organizatë?
- A ka rrugë të qarta për gratë që aspirojnë të bëhen lidere në botën e sportit, në veçanti të basketbollit?
- Cilat janë përfitimet e fuqizimit të grave-lidere në organizatë? Ndarja e shembujve nga karrierat personale?
- Çfarë këshille kanë për gratë që duan të punojnë në një fushë të dominuar nga meshkujt dhe që duan të ndjekin poste drejtuese?
Para pjesëmarrjes në panel të Forumit, Dushku ka pasur rastin që të ndajë rrugëtimin e saj në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme, që nga emërimi në vitin 2017 (si u.d.) e deri më tani, me pjesëmarrëset e programit WiLEAD.
Duhet theksuar se në programin WiLEAD (Gratë në Lidership), me sukses kanë diplomuar Nadire Kajashi - Menaxhere e Financave dhe Rrezarta Kqiku - Asistente Ekzekutive. Më parë të njëjtin program me sukses e ka përfunduar Edita Medunjanin - Menaxhere e Projekteve në FBK.