Në organizim të klubit 3x3 Prishtina sot me fillim nga ora 18:00 do të mbahet konferenca për media kushtuar eventit madhështor të basketbollit 3x3, FIBA 3x3 Women’s Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina.
Konferenca do të mbahet në “The Mayfair” në Prishtinë, ndërsa i pranishëm në konferencë do të jetë edhe numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu së bashku me krerët e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, Komunës së Prishtinës si dhe organizatori, klubi 3x3 Prishtina.
Në konferencë do të lansohet edhe zyrtarisht fanella unike e eventit, si dhe detaje të tjera shtesë rreth këtij eventi madhështor.
FIBA 3x3 Women’s Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina do të organizohet prej 14 deri më 16 korrik në Prishtinë.
Duhet theksuar se vitin e kaluar klubi 3x3 Prishtina në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për herë të parë e patën organizuar eventin FIBA 3x3 Challenger Prishtina për të cilin kishin marr lëvdata nga të gjithë pjesëmarrësit, por edhe nga Sekretari Gjeneral i FIBA-s, Andreas Zagklis, i cili gjatë vizitës së tij në muajin tetor 2022 në Kosovë ndër të tjera e kishte përmendur edhe organizimin super spektakël të FIBA 3x3 Challenger Prishtina.
FIBA 3x3 Women’s Series është ngjarja numër një në basketbollin profesionist të 3x3 në konkurrencën e femrave. Edicioni fillon në maj dhe përfundon në shtator.
14 shtete do të marrin pjesë në FIBA Women’s Series që do të organizohet në Prishtinë: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2 ekipe), Holada, Lituania, Hungaria, Letonia, Azerbejxhani (2 ekipe), Izraeli, Ukraina, Turqia, Kosova dhe Gjermania.