Një nga basketbollistet më të talentuara të Kosovës padyshim është Astera Tuhina.
18 vjeçarja ka qenë pjesë e të gjithë grupmoshave të Kosovës, ndërsa ka luajtur me Kosovën A te femrat në dy Kampionate Evropiane për Shtete të Vogla, ku së fundi kishte hyrë në Top 5 të turneut.
Astera ka debutuar edhe në elitën spanjolle të basketbollit me vetëm 16 vjet, kurse më pas u transferua në SHBA, duke fituar trofe me Washington State Cougars, përkatësisht duke u shpallur kampione në PAC 12, që ishte turneu i parë për skuadrën nga Uashington te femrat në këtë garë.
Si një nga basketbollistet më të talentuara ajo do të vizitojë shkolla fillore në Kosovë dhe të motivojë vajzat e reja të merren me basketboll. Tuhina do të tregojë si ka arrit suksese në karrierën e saj dhe çfarë duhet të bëhet për të ndjekur ëndrrën e tyre.
Astera së bashku me përfaqësuesit e FBK-së të enjten dhe të premten do të vizitojnë shkollat fillore në Prizren, Prishtinë dhe Pejë.
Vizita zhvillohet në kuadër të kampanjës “Her World, Her Rules”.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program, tash e pesë vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.