Java e parë e muajit shkurt do të karakterizohet me garat në Final 8 Kupën e Kosovës Vllesa&Pagesa.
Të dielën nga ora 14:00 do të zhvillohet finalja mes Bashkimit dhe Prishtinës në konkurrencën e femrave. Prizrenaset kanë mundur Penzën në gjysmëfinale, kurse prishtinaset kanë eleminuar Vëllaznimin.
Bashkimi dhe Prishtina ishin përballur edhe në finalen e Kupës të edicionit të kaluar, ku triumfuan vashat nga Prizreni, ashtu siç triumfuan edhe në Superkupë.
Sa i përket formës në këtë edicion, Bashkimi ka 11 fitore dhe një humbje në Superligë, derisa Prishtina tetë fitore dhe katër humbje.
Përballjet ndërmjet këtyre dy skuadrave në vitet e fundit kanë qenë shumë interesante, pasi të dy skuadrat kanë luftuar për trofetë e basketbollit të Kosovës.
Bashkimi ka fituar pesë herë trofeun e Kupën, kurse Prishtina 11 herë, duke përfshirë edhe trofetë me Universitetin e Prishtinës.
Të dy skuadrat kanë bërë ndryshime në këtë edicion dhe me përforcimet, përballja e së dielës pritet të jetë shumë interesante.