Sot (e martë) kanë filluar Ligat Kombëtare të Sportit Shkollor, të organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor. Kjo është hera e parë që organizohet një garë e tillë, shumë e rëndësishme.
Hapja solemne është bërë në palestrën “Adem Jashari” në Obiliq, ku Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku është shprehur shumë e kënaqur që po merr pjesë në një ngjarje të tillë dhe u ka uruar sukses të gjitha Shkollave pjesëmarrëse. Ajo shtoi se kjo garë është shumë e rëndësishme për të ardhmen e lojtarëve/eve dhe të ardhmen e basketbollit. Në anën tjetër, Fikret Shatri, menaxher i Sportit Shkollor në Departamentin e Sporteve të Kosovës pranë MKRS, theksoi se është e rëndësishme të zhvillohen gara korrekte dhe të triumfojë më i miri.
Më pas është zhvilluar xhiroja e parë te djemtë dhe te vajzat, ku u zhvilluan ndeshje interesante. Katër takime u zhvilluan te djemtë dhe katër te vajzat.
Qëllimi i këtyre dy ligave (vajza dhe djem), është që të rritet numri dhe interesimi tek gjeneratat e reja për tu marrë me sport, nxitja e konkurrencës dhe frymës sportive te rinia dhe ofrimi i mundësive për identifikimin e talenteve të basketbollit.
Sistemi i garave do të jetë ai i ligës së plotë, sipas sistemit të Bergerit, ku të gjitha shkollat do të luajnë mes vete për të siguruar rangim më të mirë në katërshen e parë e cila do të luftojë për titullin e kampionit në Final 4, të organizuar në nivel republikan.