Sigal Prishtina ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Bashkimit 89:82 (22:13, 23:22, 23:28, 21:19), në kuadër të xhiros së 28-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dy skuadrat u kualifikuan në Play-off, pasi kanë nga 39 pikë, aq sa Trepça, por kur tri skuadra kanë pikë të barabarta, atëherë shikohen ndeshjet direkte mes tri skuadrave. Prishtina renditet në vendin e pestë, Bashkimi në vendin e gjashtë dhe Trepça do të luajë në “Play-out” me finalistin e Ligës së Parë.
Sa i përket ndeshjes, bardhekaltrit e nisën shumë më mirë, duke pasur epërsi, derisa çerekun e parë e fitojnë 22:13. Bardhekaltrit kishin epërsi deri në 20 pikë, 38:18, por mysafirët me një seri të suksesshme në minutën e fundit të pjesës së parë ngushtuan shifrat në 45:35.
Prishtinasit ishin në epërsi konstante në periodën e tretë, por prizrenasit sërish në minutën me një seri prej 5:0, ngushtuan shifrat në 68:63, aq sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Prishtina menaxhoi epërsinë në 10 minutat e fundit për të triumfuar 89:82.
Te Prishtina u dallua Tevin Mack me 38 pikë, kurse te Bashkimi u dalluan Obinna Oleka me 22 pikë e 11 kërcime dhe Julian Hamati me 14 pikë e 11 kërcime.