AA Prishtina e ka fituar Kupën e Ligës së Parë në basketboll te femrat, duke mundur në finale Junior 06 me shifrat 73:55.
Çereku i parë ishte i barabartë, që dëshmon edhe rezultati 20:20. Por, nga ky moment vashat prishtinase morën lojën në duar, duke fituar periudhën e dytë 18:12, ku skuadrat shkuan në pushim me shifrat 38:32, derisa epërsinë më të lartë e kishin 35:26.
Skuadra nga Prishtina dominoi në periodën e tretë, ku u bë shkëputja e madhe. Nga minuta në minutë thelluan epërsinë, ku më e larta ishte 56:38, aq sa ishte rezultati pas 30 minutash lojë. AA Prishtina vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e fundit, duke mos e rrezikuar fitoren dhe triumfoi në fund 73:55.
Medaljet i kanë dhënë Teuta Abdullahu dhe Vlora Braha. MVP i turneut është zgjedhur Arba Hashani, ku trofeun ia dorëzoi anëtarja e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu. Ndërkohë, trofeun e Kupës, kapitenes së AA Prishtina, Arba Hashani ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Ky turne i Kupës u zhvillua në kuadër të kampanjës “Her World, Her Rules”.
"Her World, Her Rules" është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.
Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e tre vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.