Sot janë bërë 11 vite pa ish-Kryetarin dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Isuf Lumin.
I ndjeri Isuf Lumi ka qenë kryetari i parë i FBK-së pas mëvetësimit të sportit të Kosovës, ndërsa pasluftës për disa vite radhazi ka qenë në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të FBK-së, duke kontribuar kështu maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.
Në vitin 1991, ishte ndër nismëtarët e themelimit te Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërkaq në Kuvendin e parë zgjedhor, ishte zgjedhur Kryetar i Parë i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Në mandatin e parë të themelimit, Isuf Lumi udhëhoqi me shumë sukses hapat e parë të organizimit të pavarur të sportit të basketbollit në Kosovë.
Nga viti 1995, Isuf Lumi vazhdoi të ishte pjesë e Bordit udhëheqës të Federatës, si dhe ishte në të njëjtën kohë edhe delegat në ndeshjet e basketbollit.
Funksione të ndryshme dhe aktivitetin e tij, Isuf Lumi e vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës, ku tashmë beteja kryesore ishte anëtarësimi në FIBA. Fatkeqësisht, frytet e punës së tij dhe suksesin e madh të anëtarësimit në FIBA, Isuf Lumi nuk arriti ta shoh pasi që ndërroi jetën në vitin 2010, kur edhe ishte në mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm i FBK-së.
FBK do të kujton gjithmonë kontributin e tij të madh në basketbollin e Kosovës.