FBK miraton për herë të parë Politikën për Barazi Gjinore

FBK miraton për herë të parë Politikën për Barazi Gjinore

10/11/2026

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në mbledhjen e Bordit të mbajtur më 6 nëntor 2026, ka miratuar për herë të parë Politikën për Barazi Gjinore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zbatimin e Planit Strategjik 2026–2030, “Basketbolli 3.0”.

Kjo politikë përbën një kornizë institucionale për promovimin e barazisë gjinore, gjithëpërfshirjes dhe krijimin e mundësive të barabarta në basketbollin kosovar. Ajo synon rritjen e pjesëmarrjes dhe avancimin e vajzave dhe grave në të gjitha nivelet e sportit, jo vetëm si lojtare, por edhe si trajnere, gjyqtare, delegate teknike, administratore dhe në pozita drejtuese e vendimmarrëse.

Politika është në përputhje me qëllimin strategjik të FBK-së, “Pjesëmarrja e vajzave dhe grave – barazi që fuqizon”, si dhe me prioritetin ndërkombëtar të FIBA-s, Women in Basketball.

Hartimi i dokumentit është realizuar nga Grupi Punues për Barazi Gjinore, i përbërë nga Teuta Abdullahu, Lindita Kozmaqi, Edita Medunjanin, Enea Hajdari dhe Lorik Kllokoqi, nën mbikëqyrjen e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku.

Puna e grupit është përqendruar në hartimin e një politike gjithëpërfshirëse, shqyrtimin dhe përshtatjen e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe identifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në basketboll.

Ndër prioritetet e politikës janë zhvillimi i programeve të dedikuara për vajza, avancimi profesional i trajnereve dhe gjyqtareve, fuqizimi i përfaqësimit të grave në strukturat drejtuese, zhvillimi i programeve të mentorimit dhe lidershipit, si dhe rritja e dukshmërisë së basketbollit të femrave në formatet 5x5 dhe 3x3.

Përgjegjësitë e Grupit Punues përfshijnë gjithashtu integrimin e udhëzimeve për barazi gjinore në programet zhvillimore të FBK-së dhe klubeve, monitorimin e progresit, raportimin e rezultateve dhe formulimin e rekomandimeve për përmirësim të vazhdueshëm.

Zbatimi i politikës do të mbështetet në një Plan të Veprimit për Barazi Gjinore, i cili do të përcaktojë aktivitetet konkrete, përgjegjësitë institucionale, afatet dhe mekanizmat e monitorimit e raportimit.

Miratimi i kësaj politike përfaqëson një angazhim konkret të FBK-së për ta kthyer barazinë gjinore në pjesë të qëndrueshme të zhvillimit dhe qeverisjes së basketbollit kosovar.

🔗 Politika për Barazi Gjinore

Miratohet edhe Rregullorja e përditësuar për Shpalljen e Laureatëve të Vitit

Në të njëjtën mbledhje, Bordi i FBK-së ka miratuar edhe Rregulloren e përditësuar për Shpalljen e Laureatëve të Vitit në Basketboll, me synim forcimin e transparencës, objektivitetit dhe profesionalizmit në procesin e përzgjedhjes.

Rregullorja përcakton procedurat dhe kriteret e vlerësimit, duke paraparë përfshirjen e trajnerëve, shoqatave profesionale dhe klubeve në procesin e propozimit dhe përzgjedhjes së laureatëve.

Për çmimet kryesore individuale, procesi do të zhvillohet përmes listave të mbyllura të kandidatëve, të përgatitura mbi bazën e kritereve sportive, statistikore dhe etike, ndërsa votimi do të realizohet nga trajnerët përkatës. Rregullorja përcakton gjithashtu përgjegjësitë e Komisionit për Shpalljen e Laureatëve, trajtimin e konfliktit të interesit dhe kompetencat përfundimtare të Bordit të FBK-së.

Përmes këtyre ndryshimeve, FBK synon të sigurojë një proces më të strukturuar, profesional dhe transparent për vlerësimin e arritjeve dhe kontributit në basketbollin kosovar.

🔗 Rregullore për Shpalljen e Laureatëve të Vitit në Basketboll

‍

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners