15/09/2026
Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve në FBK dhe Rrezarta Kqiku, Asistente Ekzekutive në FBK, kanë marrë pjesë në Takimin e Komitetit Drejtues, që u zhvillua në Dublin të Irlandës, në kuadër të Projektit Inovativ SHOOTER.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e federatave partnere diskutuan për progresin e deritanishëm të projektit, përvojat dhe rezultatet nga faza e pilotimit, si dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e tij.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua gjithashtu prezantimit të funksionaliteteve të reja të platformës SHOOTER, e cila synon t'u ofrojë federatave evropiane të basketbollit mjete digjitale moderne për menaxhim dhe administrim më efikas.
Projekti SHOOTER synon të kontribuojë në digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve administrative në basketboll, duke krijuar zgjidhje që mund të përdoren nga federatat për organizim më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm të sportit.
Projekti udhëhiqet nga Federata e Basketbollit të Katalonisë dhe realizohet në bashkëpunim me federatat e basketbollit të Irlandës, Bullgarisë dhe Kosovës.
Përfshirja e Federatës së Basketbollit të Kosovës në Projektin SHOOTER, i cili ka marrë mbështetje nga programi Erasmus+, është një tjetër hap i rëndësishëm drejt avancimit të kapaciteteve institucionale dhe aplikimit të praktikave moderne digjitale në administrimin e basketbollit në Kosovë.