14/09/2026
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton se finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, e planifikuar të zhvillohej më 15 shtator 2026, është shtyrë.
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka miratuar kërkesën zyrtare të Komunës së Rahovecit për shtyrjen e ndeshjes, e cila ishte paraparë të zhvillohej më 15 shtator, nga ora 19:00, në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Kërkesa e Komunës së Rahovecit është paraqitur për arsye teknike dhe organizative, me qëllim të sigurimit të kushteve të nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshjeje.
Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, finalja e ProCredit Superkupës do të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Data dhe ora përfundimtare e zhvillimit të ndeshjes do të përcaktohen nga FBK-ja, në koordinim me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahovecin 029, në cilësinë e klubit nikoqir, duke marrë parasysh të gjitha aspektet teknike dhe organizative të aktivitetit.
Pas përfundimit të koordinimit me palët përkatëse, FBK-ja do të njoftojë me kohë klubet, palët e përfshira dhe opinionin publik për datën dhe orarin përfundimtar të finales.
Të gjitha biletat e blera për finalen e planifikuar më 15 shtator do të jenë të vlefshme edhe për datën e re të zhvillimit të finales.