FBK përditëson kontratat standarde Klub-Lojtar në përputhje me ligjin e ri për sportin dhe rregullat e FIBA-s

FBK përditëson kontratat standarde Klub-Lojtar në përputhje me ligjin e ri për sportin dhe rregullat e FIBA-s

05/08/2025

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), në përputhje me Ligjin e ri për Sportin në Kosovë dhe udhëzimet e fundit të FIBA-s, ka përditësuar kontratat standarde që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet klubeve dhe lojtarëve.

Qëllimi kryesor i këtyre modeleve të kontratave është të ofrohet një bazë e përbashkët që garanton përfshirjen e dispozitave obligative të kërkuara nga legjislacioni i Kosovës dhe nga rregulloret ndërkombëtare të FIBA-s. Kontratat janë hartuar për të rritur qartësinë juridike, transparencën dhe sigurinë për të gjitha palët - si për klubet, ashtu edhe për vetë lojtarët.

Ky veprim përfaqëson një hap konkret drejt qeverisjes më të mirë në sport dhe përforcimit të standardit profesional të marrëdhënieve kontraktuale në basketbollin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të të gjitha palëve të përfshira, duke shmangur paqartësitë dhe praktikat jo të harmonizuara në lidhje me marrëveshjet ligjore.

Zyra Ligjore e FBK-së ka përgatitur dhe vënë në dispozicion këto versione të kontratave shabllon:

  • Kontrata standarde Klub–Lojtar për klubet e meshkujve (në shqip),
  • Kontrata standarde Klub–Lojtare për klubet e femrave (në shqip),
  • Kontrata standarde Klub–Lojtar (në anglisht), për përdorim për lojtarë/e të huaj/a.

Këto dokumente janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të FBK-së (vegëza: Legjislacioni -> Formularët) dhe janë shpërndarë zyrtarisht te të gjitha klubet.

Përdorimi i këtyre kontratave standarde rekomandohet fuqimisht, si një ndihmë praktike për klubet në përgatitjen e marrëveshjeve kontraktuale. Megjithatë, liria kontraktuale e palëve mbetet e garantuar, për aq sa nuk cenohen dispozitat detyruese të ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Për çdo pyetje ose sqarim, klubet mund të kontaktojnë Zyrtaren Ligjore të FBK-së në:

enea.hajdari@basketbolli.com.

Supported by

Official General Sponsor of the Kosovo National Teams

Official General Sponsor of the Men's Superliga

Official Statistics Sponsor

Golden Sponsors

Silver Sponsors

Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation

Youth Basketball Supporters