PROMISE përfundon me sukses, një hap i madh për vajzat dhe gratë në basketboll, me FBK në qendër të ndryshimit

PROMISE përfundon me sukses, një hap i madh për vajzat dhe gratë në basketboll, me FBK në qendër të ndryshimit

17/07/2025

Pas 30 muajsh aktivitetesh intensive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kuadër të projektit PROMISE (steP foRward fOr woMen In baSkEtball), Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), si një nga partnerët kryesorë të kësaj nisme të mbështetur nga programi Erasmus+ Sport, përmbyll me sukses një nga projektet më domethënëse në drejtim të barazisë gjinore në sport.

Projekti, i udhëhequr nga Federata e Basketbollit të Katalunisë, përfshiu gjashtë shtete, Spanjën, Irlandën, Kosovën, Portugalinë, Francën dhe Bullgarinë dhe la pas një trashëgimi të pasur në katër fusha kryesore të veprimit.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, theksoi: “Përfundimi i suksesshëm i projektit PROMISE shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ekosistemi më të barabartë dhe gjithëpërfshirës në sportin e vajzave dhe grave. Ky projekt jo vetëm që solli në pah potencialin e jashtëzakonshëm të grave në basketboll, por edhe forcoi bashkëpunimin ndërmjet federatave evropiane në drejtim të barazisë gjinore. Jemi krenarë që Federata e Basketbollit të Kosovës ka dhënë një kontribut domethënës në këtë proces dhe që zëri i grave nga Kosova u bë pjesë e kësaj nisme transformuese. PROMISE ishte një fillim, jo një përfundim”.

Aktivitete pedagogjike

Projekti PROMISE arriti rezultate konkrete në ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit përmes aktiviteteve edukative:

  • Një kurs online (MOOC) me mbi 240 pjesëmarrës nga gjithë Evropa
  • 517 pjesëmarrës në sesionet trajnuese me prezencë fizike, përfshirë lojtare, trajnerë, gjyqtarë dhe drejtues klubesh
  • Një program mentorimi me 322 pjesëmarrëse të udhëhequra nga 17 mentorë
  • 6 punëtori për media, me pjesëmarrjen e 113 gazetarëve, zyrtarëve për media dhe studentëve të komunikimit

Mobilitet dhe shkëmbim përvojash

  • Organizimi i një kampusi ndërkombëtar në Bordeaux, me 66 vajza pjesëmarrëse nga 6 vende të ndryshme, përfshirë përfaqësuese nga Kosova

Komunikim dhe ngritje ndërgjegjësimi

Projekti ka gjeneruar materiale frymëzuese dhe ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e barazisë gjinore në basketboll:

  • Dokumentari “PROMISE”, i shfaqur në të gjitha federatat pjesëmarrëse me 467 të pranishëm në premierë
  • 6 video të shkurtra me histori frymëzuese të grave në sport, me mbi 100,000 shikime
  • 6,850 kopje të shpërndara të librit komik edukativ “The Genie in the Ball” (përkthyer në shqip si “Zana në Topin e Basketbollit”)

Veprime për qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë

PROMISE nuk ishte thjesht një projekt me afat të kufizuar, por një investim për një ndryshim sistematik dhe të qëndrueshëm:

  • Publikimi i Rekomandimeve Politike për barazi gjinore në sport
  • 15 marrëveshje bashkëpunimi me autoritete sportive, shkolla, sponsorë dhe media
  • Zhvillimi i një aplikacioni vetëvlerësimi, tashmë i disponueshëm në Google Play
  • Organizimi i një Forumi Final në Barcelonë, ku u prezantuan rezultatet përfundimtare dhe u hartuan hapat e mëtejshëm

Kosova si pjesë e një rrjeti evropian për barazi

Falë pjesëmarrjes në PROMISE, FBK ka qenë pjesë aktive e një rrjeti ndërkombëtar për barazi dhe përfshirje në sport, duke sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në nivel kombëtar përmes mentorimit, edukimit dhe promovimit të grave në basketboll.

Mesazhi i FBK-së

Me përfundimin e PROMISE, Federata e Basketbollit e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj për të avancuar të drejtat, mundësitë dhe përfaqësimin e vajzave dhe grave në basketboll.

Ky projekt shërbeu si pikënisje për ndërtimin e një kulture të re në sportin kosovar, më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.

 

 

‍

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners