Liga e Kampionëve të Basketbollit po hyn në edicionin e saj të 10-të, duke filluar me shortin e Turneve të Raundit të Kualifikimit dhe edicionit të rregullt të mërkurën.
Shorti do të transmetohet në faqen e Ligës së Kampionëve në basketboll, më 2 korrik, nga ora 12:00.
Kampionia e Kosovës, Trepça është në vazon e dytë.
Njëzet e katër (24) ekipe do të garojnë në tre (3) turne të Raundit Kualifikues. Të tre turnetë e Raundit Kualifikues do të zhvillohen në fund të shtatorit. Orari i detajuar i ndeshjeve, si dhe vendi i zhvillimit, do të shpallen më vonë në korrik.
Të tre turnetë e Raundit Kualifikues do të luhen në format eliminues me një ndeshje të vetme, duke filluar nga çerekfinalet. Ekipet nga Vazo 1 do të përballen me ekipet nga Vazo 4, ndërsa ekipet në Vazo 2 do të përballen me ekipet nga Vazo 3.
Tre fituesit e turneut të Raundit Kualifikues do të avancojnë në grupet e edicionit të rregullt.
Edicioni i rregullt do të ketë tetë grupe me nga katër ekipe.
Trepça edicionin e kaluar ishte në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa më pas pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup.
Mitrovicasit fituan titullin, Kupën dhe Superkupën në edicionin e kaluar.