Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të organizojë Forumin Safeguarding the future - lansimi i politikave të mbrojtjes në basketboll.
Forumi do të organizohet më 18 qershor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 13:30.
Në këtë forum do të bëhet prezantimi zyrtar i politikave të mbrojtjes të hartuara në kuadër të projektit “Safeguarding the Future” që shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe gjithëpërfshirës në sport.
Politikat do të fillojnë së zbatuari që nga edicioni i ri i basketbollit në të gjitha kategoritë, duke përforcuar angazhimin për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në sport.
Qëllimet e Forumit janë:
Prezantimi zyrtar i politikave të mbrojtjes të hartuara në kuadër të projektit “Safeguarding the Future”.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimi i institucioneve, klubeve, trajnerëve, lojtarëve dhe prindërve për zbatimin e politikave.
Komunikimi i fillimit të zbatimit të këtyre politikave nga sezoni i ri i basketbollit në të gjitha kategoritë.
Forumin e hapin Kryetari i Federatës të Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu bashkë me Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Fjalët e tyre shënojnë nisjen e një dite me rëndësi për të ardhmen e sportit dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë të përfshirët.
Paneli I: Roli i institucioneve në zbatimin e Politikave Mbrojtëse
Institucionet janë themeli për krijimin e një ambienti sportiv të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Në këtë panel do të diskutohet për përgjegjësinë, sfidat dhe hapat konkret në zbatimin e politikave mbrojtëse në sport.
Panelistë:
Arben Fetahu – Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës
Fidan Shatri – Kryeshef i Agjencisë së Sportit të Kosovës
Mimika Dobroshi – Kordinatore e Zyrës së Erasmus+ për Kosovën
Elvira Dushku – Koordinatore e Projektit dhe Sekretare e Përgjithshme e Federatës të Basketbollit të Kosovës
Ky panel thekson bashkëpunimin ndërinstitucional si çelës për një të ardhme më të sigurt për të gjithë sportistët.
Paneli II: Zëri i komunitetit të basketbollit
11:15 – 12:15
Një bisedë e hapur me ata që e jetojnë basketbollin çdo ditë. Çka funksionon, çka duhet ndryshuar dhe si e shohin ata të ardhmen e lojës?
Panelistët:
Albert Sylejmani – Trajner
Besjana Martinaj – Basketbolliste, KBF Prishtina
Mirsad Aliu – Prind
Në kuadër të projektit Erasmus+ “Safeguarding the Future”, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe partnerët nga Estonia, Bullgaria dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), ka
zhvilluar dhe miratuar një paketë të plotë prej 13 dokumentesh të politikave të mbrojtjes, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet e FIBA-s.
Ky proces 30 mujor (janar 2023 – qershor 2025) është zhvilluar me qëllim të garantimit të sigurisë, respektit dhe mirëqenies për të gjithë pjesëmarrësit në sportin e basketbollit: fëmijët, të rinjtë, trajnerët, zyrtarët, prindërit dhe komunitetin më të gjerë sportiv.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është fituese e projektit SAFEGUARDINGTHEFUTURE në kuadër të Erasmus +, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).